Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shefin e Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, dhe shefin e sektorit të aksidenteve, Sokol Novaku. Ata akuzohen për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të dy zyrtarët u ndaluan pasi dyshohet se i kanë kërkuar 2 mijë euro ryshfet një shofereje, e përfshirë në një aksident rrugor në datën 16 prill në Tiranë. Nga përplasja mes dy automjeteve, pesë persona përfunduan në spital, ndërsa drejtuesja e mjetit tjetër, shtetasja A.V., ndodhej e vetme në makinë.
SPAK thotë se efektivët e policisë i kërkuan pagesën familjarëve të shoferes në këmbim të mosarrestimit të saj. Shuma u sigurua nga bashkëshorti i saj, E.V., i cili tashmë është nën hetim për “korrupsion aktiv”.
Hetimet zbuluan se paratë iu dorëzuan njërit prej efektivëve të rrugores – fakt i provuar përmes provave materiale. Ndërkohë, gjatë kontrolleve të kryera nga BKH në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, janë sekuestruar 2.5 milionë lekë dhe 26 mijë euro në cilësinë e provës materiale.
Krahas Zekës dhe Novakut, në pranga është vënë edhe oficeri i Policisë Gjyqësore, E.T. Hetimet janë në kuadër të një dosjeje të nisur nga viti 2023.