SHBA– Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Uashingtoni e kundërshton fuqishëm planin e presidentit francez, Emmanuel Macron për të njohur shtetin palestinez, ndërsa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump njoftoi se nuk do të marrë pjesë në konferencën e ardhshme të Kombeve të Bashkuara që synon zgjidhjen me dy shtete për palestinezët.
Në rrjetin X, Rubio kritikoi vendimin e Macronit, duke e quajtur atë një vendim të pamatur dhe duke thënë se ai vetëm i shërben propagandës së Hamasit dhe pengon paqen.

Macron ka deklaruar se do ta formalizojë vendimin e Francës për të njohur shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. “Në përputhje me angazhimin historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë Shtetin e Palestinës.”- shkroi Macron në rrjetin X.
Të paktën 142 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e njohin ose planifikojnë të njohin shtetin palestinez. Disa vende perëndimore me ndikim, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë, e kanë refuzuar një gjë të tillë. Nga ana tjetër, anëtarë të Bashkimit Evropian si Norvegjia, Irlanda dhe Spanja njoftuan në muajin maj se kishin nisur procesin e njohjes së shtetit palestinez./Radar.al