Detaje të reja kanë dalë në pah nga ngjarja e rëndë e ndodhur së fundmi në Vlorë, ku 40-vjeçari Rinald Rakipaj përfundoi në pranga pasi akuzohet për nxitje të përdorimit të drogës dhe abuzim seksual me vajza adoleshente.
Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 22 marsit, kur Rakipaj, së bashku me tre vajza të moshës 15-16 vjeç, kaluan natën në një hotel në zonën e Skelës, duke thithur kokainë.
Në lidhje me këtë ngjarje prokuroria e Vlorës ngriti akuza të rënda ndaj Rakipajt, duke u mbështetur në një video të filmuar nga njëra prej vajzave të mitura.
Mësohet se videoja në fjalë tregon momentin kur njëra prej vajzave konsumon kokainë, ndërsa Rakipaj shihet duke fjetur.
Ky filmim është përdorur si provë kryesore nga autoritetet për të mbështetur akuzat ndaj tij.
Por megjithatë hetuesit dyshojnë se Rakipaj ka kryer marrëdhënie seksuale me një nga vajzat, dhe kjo akuzë pritet të provohet ose rrëzohet vetëm pas një ekspertize mjekësore.
Kujtojmë se ngjarja doli në dritë pas denoncimit të bërë nga nëna e një prej vajzave të mitura.
Gjatë marrjes në pyetje, vajzat kanë mohuar se kanë pasur marrëdhënie seksuale me Rakipaj.
Ato kanë thënë se gjatë natës, ata kanë bërë xhiro me makinë dhe më pas kanë qëndruar në hotel, por nuk kanë kryer aktet që janë akuzuar.
Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për ta lënë Rakipajn në “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve dhe procesit gjyqësor.


