Një rast shqetësues është bërë publik në Sarandë, ku një 15-vjeçar, me probleme të shëndetit mendor dhe i varur nga substancat narkotike, akuzohet nga babai dhe gjyshja e tij 85-vjeçare për ushtrim dhune fizike dhe psikologjike të përsëritur ndaj tyre.
Babai i të miturit ka deklaruar për emisionin investigativ Fiks Fare se djali është bërë gjithnjë e më agresiv, sidomos gjatë viteve të adoleshencës, për shkak të problemeve mendore dhe përdorimit të drogës dhe alkoolit. Familja jeton në kushte të vështira ekonomike dhe me qira, ndërsa ai shprehet se tashmë nuk mund ta mbajë më situatën nën kontroll.
Veç dhunës fizike, gjyshja 85-vjeçare ka rrëfyer se ka qenë edhe viktimë e ngacmimeve me natyrë seksuale nga nipi i saj. “Jetoj me frikë. Është zhveshur para syve të mi dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me mua,” ka treguar e moshuara me lot në sy, duke shtuar se është goditur në mënyrë të përsëritur nga i mituri.
Sipas familjarëve, djali shpesh largohet nga banesa për ditë të tëra dhe kthehet në orare të paqarta. Në dhomën e tij janë gjetur shenja të shkatërrimit dhe rrëmujës së vazhdueshme, ndërsa muzika që dëgjon dhe sjellja e tij lidhen me kulturën e dhunës dhe përdorimit të drogës.
Familja pohon se është drejtuar disa herë në polici për të denoncuar dhunën. Rasti është trajtuar nga gjykata, e cila ka vendosur largimin e gjyshes nga banesa dhe ndjekjen e të miturit nga një psikologe. Por e moshuara kundërshton këtë vendim, pasi nuk ka ku të shkojë – në fshatin e lindjes e pret vetëm një kasolle e rrënuar.
Babai dhe gjyshja i janë drejtuar sërish autoriteteve me ndihmën e gazetarëve të Fiks Fare, duke bërë apel që djali të dërgohet në një qendër rehabilitimi ose në një institucion riedukimi, ku të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe sociale.
Familja kërkon ndërhyrje urgjente të shtetit për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe për të garantuar sigurinë e të moshuarës dhe vetë të miturit.


