Një hetim i brendshëm i ushtrisë izraelite ka pranuar sot se ka pasur një “sjellje jo profesionale”, “mosbindje” dhe “keqkuptime” në incidentin e të shtënave që shkaktoi vdekjen e 15 punonjësve palestinezë të shërbimeve emergjente në Rripin e Gazës në mars.
Ushtria njoftoi shkarkimin e një oficeri, konkretisht zëvendëskomandantit dhe shprehu “keqardhje” për viktimat e pafajshme.
“Ka qenë një gabim, por nuk mendojmë se është një gabim që ndodh çdo ditë”, tha gjenerali në rezervë Yoav Har-Even, përgjegjës për hetimin, gjatë një konference për shtyp.
Më 23 mars, vetëm pak ditë pas rifillimit të ofensivës në Gaza, trupat izraelite hapën zjarr ndaj ekipeve të Mbrojtjes Civile dhe Gjysmëhënës së Kuqe në Rafah, në jug të territorit palestinez.
Të shtënat, të cilat lanë të vdekur 15 persona, shkaktuan zemërim ndërkombëtar. Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Volker Türk, e cilësoi ngjarjen si një “krim të mundshëm lufte”.
Izraeli kishte deklaruar fillimisht se në ambulanca ndodheshin gjashtë anëtarë të Hamasit.
“Hetimi nxori në pah raste të shumta të sjelljes së gabuar profesionale, mosbindje ndaj urdhrave dhe mungesë përgjegjësie të plotë për incidentin”, deklaroi sot ushtria izraelite.
Viktimat ishin tetë anëtarë të Gjysmëhënës së Kuqe, gjashtë të Mbrojtjes Civile të Gazës dhe një punonjës i UNRWA-së.