Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se fletët e para të votimit të ardhura nga diaspora kanë mbërritur tashmë në Shqipëri dhe po përpunohen përmes sistemit postar. Një pjesë tjetër e tyre ndodhet ende në qendrën e përpunimit në Leipzig dhe pritet të nisen drejt Tiranës.
Sipas njoftimit zyrtar të KQZ-së drejtuar partive politike, një avion me dërgesa nga diaspora do të mbërrijë në Shqipëri nesër në orën 17:25. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme në aeroport dhe duke marrë në konsideratë trafikun rrugor, fletët e votimit pritet të mbërrijnë për administrim në Parkun Olimpik rreth orës 19:00.
Komisioni u ka bërë thirrje partive politike që të jenë të pranishme dhe të marrin pjesë në pritjen e dërgesave, duke e konsideruar këtë një proces transparent dhe të hapur për të gjitha forcat politike.


